KRYEFAQJA » LAJME » Bota » FBI: Nuk ka arsye për akuza penale ndaj Hillari Klinton

FBI: Nuk ka arsye për akuza penale ndaj Hillari Klinton

Drejtori i FBI-së James Comey tha se nuk ekzistojnë arsye për të ngritur akuza penale kundër ish-sekretares së shtetit Hillary Clinton lidhur me përdorimin e një serveri privat gjatë kohës që ishte në detyrë. Zoti Comey tha se hetuesit kanë lexuar të 30 mijë e-mailet që zonja Clinton i kishte dorëzuar Departamentit të Shtetit në vitin 2014 dhe shtoi se 110 prej tyre përmbanin informacion të klasifikuar. Drejtori i FBI-së tha se është e mundur që aktorë me synime armiqësore të kenë patur qasje në llogarinë e saj personale të e-mailit. Sipas zotit Comey, hetuesit nuk gjetën prova se zonja Clinton mund të ketë fshirë qëllimisht e-mail-et e saj. Por ai shtoi se zonja Clinton dhe stafi i saj u treguan jashtëzakonisht të pakujdesshëm në trajtimin e informacionit tepër të klasifikuar nga ana e tyre. Megjithatë, tha ai, FBI-ja ka arritur në përfundimin se ngritja e akuzave në këtë rast do të ishte e papërshtatshme. “Asnjë prokuror i arsyeshëm nuk do të ngrinte akuza,” tha ai. Por menjëherë pasi mësoi mbi përfundimet e FBI-së, kandidati republikan për president, Donald Trump i denoncoi ato me anë të Twitterit: “Drejtori i FBI-së tha se Hillari mashtruese ka dëmtuar sigurinë tonë kombëtare. Nuk ka akuza. Çudi! Sistemi i manipuluar,” shkruante Trump. Paul Ryan, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve që kontrollohet nga republikanët, tha se përfundimet e zotit Comey sfidojnë çdo shpjegim. “Të refuzosh ndjekjen penale ndaj Sekretares Clinton për keqpërdorim dhe transmetim informacionesh të sigurisë kombëtare, kjo do të krijojë një precedent të tmerrshëm”, tha ai.