KRYEFAQJA » LAJME » Fc Krasnodar-Partizani, sonte ora 18:30, direkt në RTSH
FC KRASNODAR-PARTIZANI, SONTE ORA 18:30, DIREKT NË RTSH

Fc Krasnodar-Partizani, sonte ora 18:30, direkt në RTSH

Partizani shkon në takimin e sotëm me FC Krasnodarin, që është i pari në duelin e vlefshëm për “play-off”-in e Ligës së Evropës, duke shpresuar që aventura e saj kontinentale të mos mbetet thjesht ëndërr e një nate vere. Të kuqtë kryeqytetas, që u eliminuan në turin e tretë të Ligës së Kampioneve dhe tani kanë një shans të fundit në veprimtarinë e dytë të klubeve të kontinentit, synojnë të ndjekin hapat e Skënderbeut dhe të bëhen skuadra e dytë shqiptare që shkon në fazën e grupeve. Megjithatë, basti për të kuqtë e drejtuar nga trajneri italian, Adolfo Sormani, është i vështirë, sepse përballë kanë një skuadër që, ndonëse e themeluar vetëm 8 vite më parë, ka ecur me hapa gjigandë, si në futbollin vendas, ashtu edhe në atë evropian. Pas 3 javëve të luajtura deri më tani në Premier Ligën Ruse, Krasnodari mban vendin e parë, me 7 pikë, pas dy fitoreve dhe një barazimi. Trajneri i Partizanit, Sormani ka deklaruar para kësaj sfide se e vlerëson mjaft kundërshtarin, që për më tepër luan në fushë të vet, dhe se e shikon kualifikimin një mision të vështirë. Ndërsa homologu i tij, trajneri i Krasnodarit, Oleg Kononov, e ka vlerësuar Partizanin si një ekip kompakt, por ka theksuar se skuadra ruse do të kërkojë avantazhin që në ndeshjen e parë. Takimi FC Krasnodar-Partizani, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 18:30.