KRYEFAQJA » LAJME » Moti i keq, FSHF shtyn takimet e Superiores

Moti i keq, FSHF shtyn takimet e Superiores

Në fakt, nuk ishte ndonjë surprizë e madhe dhe, do t’i vinte radha e futbollit. Pasi ka pezulluar arsimin, ka rënduar qarkullimin rrugor dhe ka ndikuar në furnizimin me energji elektrike dhe ujë, moti i keq ka prekur edhe sportin. Janë të shumta mjediset sportive në Shqipëri, që kanë probleme për shkak të motit të ftohtë. Dhe ky ka qenë shkaku që pjesa dërrmuese, pra, plot 8 ekipe të Kategorisë Superiore, të kërkojnë që rinisja e kampionatit të mos bëhet në 21 janar 2017, siç është parashikuar në kalendar, por një javë më pas. Ndërkohë, kjo konfirmohet nga Federata Shqiptare e Futbollit. Organizmi që qeveris futbollin në vend zbulon se, përkundër rrymës, dy ekipe, Laçi dhe Teuta, nuk janë dakord me shtyrjen e rinisjes së Superiores. Me të një deklarate për shtyp, FSHF-ja kërkon një konsensus të plotë për të marrë vendimin përfundimtar. Fusha të mbuluara nga bora e akulli e bëjnë të pamundur zhvillimin e një normal të një ndeshje futbolli. Përveç kësaj shtohen edhe problemet me bllokimin e rrugëve që vështirëson lëvizjen e ekipeve dhe tifozëve. Kategoria Superiore është programuar të rinisë më 21 janar 2017 gjysmën e saj të dytë të sezonit, me javën e parë të fazës së 3-të, nga 4 që janë gjithsej, por një vendim i FSHF-së mund ta vonojë zhvillimin e ndeshjeve të javës së 19. Një shtyrje do t’i jepte më shumë kohë ekipeve të përgatiteshin më gjatë.