KRYEFAQJA » LAJME » Fëmija i sëmurë, debat në parlament
Parlamenti shqiptar përfshihet nga debatet lidhur me progres raportin e fundit të KE

Fëmija i sëmurë, debat në parlament

Parlamenti shqiptar ka njohur sërisht të enjten momente tensioni mes maxhorancës dhe opozitës, pasi ministri i shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe deputetja e Partisë Demokratike, Albina Dedaj, u përfshinë në debat lidhur me fatin e një fëmije 10 vjeçar, i cili ka nevojë urgjente për transplant mëlçie. Deputetja demokrate ngriti shqetësimin për fëmijën e sëmurë, ndërsa fajësoi Ministrinë e Shëndetësisë që sipas saj nuk është angazhuar në trajtimin e rastit të tij jashtë vendit. Ministri Beqaj tha se që nga nëntori i vitit të kaluar strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë janë marrë me këtë rast që është një sëmundje shumë e rrallë. “I jemi drejtuar institucioneve të huaja shëndetësore që kanë eksperiencë në të tilla raste dhe është fjala për të realizuar një transplant të plotë të mëlçisë, që do të thotë se duhet te kemi organin për të bërë transplantin. Mëlçia është organi i vetëm i trupit dhe nuk zgjidhet ky rast me transplant të pjesshëm, pra duhet të jetë organi” tha zoti Beqaj.
Debati degjeneroi në fyerje nga ana e zotit Beqja ndaj deputetes së opozitës Dedaj, çka solli irritimin e deputetëve demokratë dhe drejtuesit të seancës, nënkryetarin e Kuvendit, Edmond Spaho i cili e ndërpreu atë. Por me rifillimin e saj ministri Beqaj kë rkoi ndjesë . “I kërkoj ndjesë zonjës Deda për fjalët e pahijshme dhe fyerjet gjatë seancës, pak më parë. Sigurisht, janë fjalë që nuk duhet të përdoren nga askush aq më shumë nga ne që kemi marrë përsipër të mbajmë funksione të larta publike, por me sa duket dhe unë njeri i gjallë jam” tha ministri Beqaj.