KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » “Fëmijët e diktaturës” rrefejnë historitë në një dokumentar
“Fëmijët e diktaturës” rrefejnë historitë në një dokumentar

“Fëmijët e diktaturës” rrefejnë historitë në një dokumentar

“Kush kontrollon të kaluarën, kontrollon të ardhmen. Kush kontrollon të tashmen, kontrollon të kaluarën .” – kështu pohonte fort George Orwell në librin e tij të famshëm “1984”. Pikërisht si prelud i dhembjes së parrëfyer dhe si nevojë për të hedhur dritë mbi të kaluarën erdhi dhe premiera e dokumentarit “Fëmijet e diktaturës” me regji nga Besnik Bisha. Vetëm një ndër grimcat e dhembjes në ditët e kujteses të organizuara në Tiranë nga Instituti për demokraci Media dhe Kulturë dhe Fondacioni Konrad Adenauer. 4 rrëfime rrënqethëse të fëmijëve që u lindën apo pafajësi fëminore që u degdisen në djep nëpër kampet e internimit dhe dolën prej aty vetëm me rënien e regjimit diktatorial.

Të lindur në familje kundërshtare të regjimit të diktatorit, në dokumentar tregohet jo pak për atë kohë, vuajtjet dhe pasojat. “Bëhet fjalë për fëmijët në vitet e diktaturës, për ata fëmijë në ato vite që kanë lindur dhe janë rritur në internim. Ndërmjet tyre janë zgjedhur katër personazhe në film. Ata janë Simon Mirakaj i cili ishte vetëm dy javësh kur u internuar bashkë me familjen, Alma Liçaj një grua e cila kur ishte fëmijë në moshën 10 vjeçare ka shkuar në internim dhe është rritur në internim. Janë dhe dy të tjerë motër dhe vëlla, Ridvana dhe Lurian Mena. Filmi është ndërtuar, duke dhënë secili prej tyre ndjeshmërinë që ka pasur atë kohë, dhe normalisht dhe gjykimi që kanë sot. Ndjeshmëritë se si e kanë ndjerë ata diktaturën ato vite, çfarë kuptonin, kur e kanë ndeshur për herë të parë dhunën ndaj tyre. Qëllimi i këtij dokumentari sipas regjisorit është që do të shfaqet dhe në shkolla, por në lidhje me kinemanë dhe temat e diktaturës ai tregon se duhet bërë ende më shumë. 45 vite barbari, mizori djallëzore mbi fëmijë ende të palindur. Secili prej tyre që ka përjetuar dhimbje të patregueshme rrëfen me dinjitet jo si viktimë, po si mision i tregimit të vërtetës siç thoshte pater Zef Pllumi : “Rrno, për me tregue”.