KRYEFAQJA » LAJME » Festohet “Dita e Verës”
Festohet "Dita e Verës"

Festohet “Dita e Verës”

Shqiptarët po kremtojnë 14 marsin “Ditën e Verës”. Ajo është ndoshta festa me e lashtë në trojet shqiptare që nga koha e paganizmit, shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Festimet synojnë të nderojnë natyrën e bukur shqiptare dhe bimësinë që nis e merr jetë në këtë datë pas dimrit. Në disa zona ndizeshin zjarre purifikues për t’i dhënë forcë diellit në oborr e në kopshte. Ndërsa nga gratë shqiptare bëheshin rite magjike e kundër kafshëve dëmtuese dhe grabitëse.
Ndonëse shqiptarët u përkasin besimeve të ndryshme fetare, por që jetojnë prej vitesh në harmoni, “Dita e Verës” festohet nga të gjithë. Kryeqendra e festimeve është Elbasani, me ballokumen e tij të famshme, një ëmbëlsirë karakteristike e zonës. Mijëra qytetarë të tij, por edhe të ardhur nga qytete të tjera u derdhën, e kanë nisur festën një natë më parë. Në sheshin “Aqif Pasha” kanë nisur koncertet dhe panairet.
Në Tiranë kryetari i bashkisë Erion Veliaj, ka zgjedhur këtë ditë feste të njoftojë banorët se shumë shpejt do të fillojnë punimet për transformimin e Sheshit “Skënderbej”. “Do kemi sheshin më të bukur në rajon. Ne shesh do të ketë gurë, pllaka dhe pemë nga e gjithë Shqipëria”, tha zoti Veliaj.
Festimet janë shtrirë edhe në qytete të tjera nga veriu në jug të Shqipërisë, ku urimet për një jetë më të mire dhe të begatë, janë lajtmotiv i “Ditës së Verës”.