KRYEFAQJA » LAJME » FIBA Evropë vlerëson projektin e FSHB-së
EPA/ZSOLT CZEGLEDI HUNGARY OUT

FIBA Evropë vlerëson projektin e FSHB-së

Në një shkrim me titull “Shqipëria hedh hapin e parë drejt përmbushjes së vizionit të basketbollit”, faqja zyrtare në Internet e organizmit që qeveris basketbollin kontinental, FIBA Evropës, e ka vlerësuar lart projektin e koshit shqiptar për ekipet përfaqësuese. Në grupin F të Eliminatoreve për Kampionatin Evropian të basketbollit për meshkuj 2017, kuqezinjtë ndodhen në një grup me Gjeorgjinë, Malin e Zi dhe Sllovakinë dhe ndeshjet e cilit luhen nga data 31 gusht, deri më 17 shtator 2016. Pas një mungese prej katër vjetësh në ekipin e meshkujve, trajneri i ri i Shqipërisë, Antonis Kostantinides, ka grumbulluar 19 lojtarë prej të cilëve do të mbajë 12, të cilët do të përfaqësojnë Shqipërinë në Eliminatoret kontinentale, ku mungon që prej 2012-ës. “Shqipëria lehtësisht e pranon statusin e saj të humbësit në grupin F të Eliminatoreve për Kampionatin Evropian të basketbollit për meshkuj 2017”, – shkruhet në artikullin e FIBAEurope.com, që më tej vlerëson: “Por pjesëmarrja në Eliminatore duket si “qershia mbi tortë” për revolucionin në heshtje që ka nisur basketbolli shqiptar”. Duke cituar trajnerin e kuqezinjve, Kostantinides, artikulli në fjalë thekson se: “Për skuadrën e të rritur objektivi kryesor i yni në këto moment është të bëjmë bashkë një grup lojtarësh të rinj dhe të ndërtojmë atë që do të jetë themeli i ecjes në katër vitet e ardhshme”. “Pjesa më e madhe e lojtarëve nuk kanë asnjë eksperiencë në përballjet e nivelit të lartë evropian dhe nëse duam që në pak vite t’i mundim ata, atëherë kemi shansin për ta bërë hapin e parë tani”, – ka përfunduar qiprioti.