KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Fier; Ngricat sjellin probleme në bujqësi
reshje, ngrica, fier, bujqesi, probleme

Fier; Ngricat sjellin probleme në bujqësi

Edhe në Fier temperaturat këto ditë arritën deri në – 10 gradë, dhe një prej dëmeve është shkatërrimi i të mbjellave: “Nga gjithë kjo ngricë që ka rënë këto 3 – 4 ditë, ne kemi falimentuar, dhe me prodhimin dhe me bimët dhe për vitin tjetër jemi zero. Ne na është shkaktuar një dëm kolosal, jemi më keq nga ç’ishim me lumin parvjet, sepse kësaj radhe jemi të gjithë të dëmtuar, në kohën e lumit shpëtuan të paktën gjysma që ishin mbi rrugë,mbi autostradë.” Ndërsa në raste fatkeqësish natyrore, dëmshpërblimi është normal, këta fermerë nuk e shpresojnë një gjë të tillë, pasi sipas tyre, kompanitë e sigurimeve nuk kanë pranuar t’u sigurojnë investimin: “Këtë investim kolosal që kemi bërë, kemi kërkuar me ngulm që t’i sigurojmë,por nuk na është afruar deri tani ndonjë kompani sigurimi dhe ja, erdhëm prapë te fakti që ne u dëmtuam dhe s’kemi ku të ankohemi për të marrë dëmshpërblimin. Ne kërkojmë të sigurohemi, po ku të sigurohemi, se dihet, shteti do thotë pse nuk je siguruar. Hajde bujrum të jap unë lekët, të sigurohemi.” Sipas fermerëve, në Kafaraj kanë ngrirë të gjitha serat, për shkak të cilësisë së dobët të plastmasit, ndërsa në Frakull janë dëmtuar rreth 90 ha sera të tjera.