KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Fier, ulet ndihma ekonomike, rritet punësimi
Fier, ulet ndihma ekonomike, rritet punësimi

Fier, ulet ndihma ekonomike, rritet punësimi

Bashkia e Fierit ka ulur për vitin 2016 numrin e familjeve që përfitojnë ndihmën ekonomike. Dhe kjo jo vetëm për shkak të pastrimit të skemës nga abuzimet e shumta, por edhe se disa prej tyre kanë dalë jashtë skemës pasi kanë gjetur vende pune. Sipas Alba Stefa, drejtoreshë e shërbimit social, për këtë vit do të ndihmohen 2900 familje, 11 përqind më pak se një vit më parë.
Qeveria shqiptare shpreson që Fieri të jetë ndër qarqet ku papunësia dhe familjet në nevojë të jenë në nivelet më të ulëta. Kjo për disa arsye. Qarku i Fierit, i cili renditet i dyti në shkallë vendi për nga numuri i popullsisë pas Qarkut të Tiranës, ka potenciale të shumta. Në këtë qark është zona kryesore naftëmbajtëse Patos Marinzë dhe Kombinati i Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh. Burimeve të pasura natyrore nëntokësore, u shtohen edhe kushtet për zhvillimin e bujqësisë, industrisë dhe turizmit.
Fieri është gjithashtu një nyje e rëndësishme e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore. Një nga projektet kryesore të infrastrukturës rrugore shqiptare është edhe bypass-i 22 km i gjatë që lidhë autostradën Lushnjë-Fier me ato Levan-Vlorë dhe Levan -Tepelenë. Ky segment kalon fare pranë disa nga monumenteve kryesore kulturore dhe natyrore të zonës si: Parkut Arkeologjik të Apolonisë apo plazheve ranorë të Ndërmënasit, Semanit, Povelçës dhe Pishë Poros. Ndërkohë në territorin e qarkut të Fierit, po përgatitet të do të kalojë edhe gazsjellësi “TAP”, i cili pritet ti japë një impuls zhvillimit të këtij rajoni.