KRYEFAQJA » LAJME » Fier, zhvendoset impianti i mbetjeve i kundërshtuar nga banorët
fier, impianti i mbetjeve, mbrostar

Fier, zhvendoset impianti i mbetjeve i kundërshtuar nga banorët

Këshilli i Bashkisë së Fierit miratoi në parim vendimin për ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane me prodhim energjie, në njësinë administrative Mbrostar. Në mbledhjen e radhës këshilli bashkiak i Fierit vendosi që “ky impiant me teknologji të përparuar të ngrihet në Mbrostar Ura, në një sipërfaqe prej 10 hektarësh”. Fillimisht në fazën e parë do të ndërtohet landfilli dhe me pas impianti i përpunimit të mbetjeve. Gjatë mbledhjes, kryetari i Bashkisë, Armando Subashi tregoi edhe modelin e ndërtuar në Elbasan.

Më herët ishte propozuar ngritja e impiantit të mbetjeve në zonën e Plykut në Fier, por kjo solli reagimin e banorëve të zonës, që u ngritën në protestë duke kundërshtuar ndërtimin e impiantit të mbetjeve afër banesave të tyre. Ministria e Mjedisit ka deklaruar se impianti do të ketë një përpunim maksimal 180- 200 ton mbetje/ditë, djegia e të cilave do të sigurojë prodhim energjie elektrike prej 3.8 mW, kohëzgjatja e këtij konçesioni do të jetë 6 vjet dhe do të hapë shumë vende pune në Qarkun e Fierit. Prodhimi i energjisë nga përdorimi i impiantit është një siguri më tepër për furnizimin e popullatës së qytetit me energji elektrike. Këto impiante, si ai i Elbasanit ashtu dhe ai i Fierit, do të asgjësojnë vetëm mbetjet urbane të Qarkut të tyre, për aq kapacitet sa përballojnë.