KRYEFAQJA » LAJME » FIFA gjobit Shqipërinë me 50 mijë franga zvicerane
FIFA gjobit Shqipërinë me 50 mijë franga zvicerane

FIFA gjobit Shqipërinë me 50 mijë franga zvicerane

Komisioni i Disiplinës i FIFA-s ka gjobitur Shqipërinë me 50 mijë franga zvicerane. Në komunikatë thuhet se kjo vjen si shkak i sjelljes jo të përshtatshme të tifozëve në ndeshjet kualifikuese për botërorin Rusi 2018. Vendimi i KD të FIFA-s është marrë për dy ndeshjet e fundit që ka luajtur kombëtarja e jonë gjat muajit tetor. Bëhet fjalë për ndeshjet kundër Lihtenshtejnit me 6 tetor dhe Spanjës me 9 tetor pasi tifozët shqiptarë hodhën sende në fushë. Sendet e hedhura në fushë, sipas FIFA-s, janë fishekzjarre dhe në bazë të nenit 67 të Kodit Disiplinor kombëtarja jonë gjobitet me 25 mijë franga për ndeshjen e parë dhe 25 mijë të tjera për ndeshjen e dytë.

Nëse ngjarje të tilla do të përsëriten edhe në ndeshjen e 12 nëntorit, kur në Shkodër do të vijë Izraeli, atëherë kombëtarja e drejtuar nga Giovanni De Biasi rrezikon që ndeshjet e tjera t’i luajë pa praninë e mbështetësve në stadium. Kjo është hera e tretë në tre ndeshje të luajtura për një vend në Rusi 2018 që Shqipëria gjobitet. Gjobën e parë e kemi marrë pas takimit të 6 shtatorit ku luajtëm me Maqedoninë.

Dënimit të FIFA-s nuk i shpëton as Kosova e cila është gjobitur me 30 mijë franga zvicerane për koret e tifozëve, për hedhjen e sendeve në fushë dhe parullat e shkruara që mështetësit e saj shpalosën në stadiumin Loro Boriçi në ndeshjen kundër Kroacisë.