KRYEFAQJA » LAJME » FIFA: Pranohen pesë kandidatura për zgjedhjet presidenciale
Prangosen 10 zyrtarë të tjerë të FIFA-s

FIFA: Pranohen pesë kandidatura për zgjedhjet presidenciale

Komisioni zgjedhor ad hoc i FIFA-s ka deklaruar se janë në rregull për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të FIFA-s pesë kandidatë. Zgjedhja do të zhvillohet në Kongresin e Jashtëzakonshëm të FIFA-s që është në program të mbahet në Zyrih të Zvicrës me 26 shkurt 2016. Tani për tani nuk është futur në listë numri një i UEFA-s, Michel Platini, si rrjedhojë e pezullimit të tij, por mund të futet më vonë. Komisioni zgjedhor nuk e ka pranuar kandidaturën e Musa Hassan Bility pas shtjellimit të raportit të kontrollit rreth punës së tij.

Sipas rregullores zgjedhore të FIFA-s dhe të rregullores së organizimit tëFIFA-s, komisioni hetues i Komitetit Etik ka bërë kontrolle për punën e kandidatëve duke i lënë rrugë të lirë vetëm pesë prej tyre: princit të Jordanisë Ali bin Hussein, sheikut të Bahreinit dhe numrit një të Konfederatës Aziatike të Futbollit Salman Bin Ebrahim Al Khalifa, ish-zëvendëssekretarit të përgjithshëm të FIFA-s Jerome Champagne, numrit dy të UEFA-s Gianni Infantino dhe Tokyo Sexwale, politikan dhe biznesmen afrikanojugor.

Presidenti i UEFA-s, Michel Platini, mbetet në stand-by. Siç u lajmërua edhe në tetor, procesi i vlerësimit të kandidaturës së tij është i ngrirë, meqë vazhdon pezullimi 90 ditor që i dha Komiteti Etik i FIFA-s për hetimin e rreth dy milionë frangave zvicerane që mori nga presidenti i FIFA-s Sepp Blatter në vitin 2011. Në çastin që të përfundojë pezullimi ose të hidhet poshtë para zgjedhjeve, Komisioni Etik do të vlerësojë qëndrimin e tij. Ndërkohë është hedhur poshtë kandidatura e Bility. Arsyeja i është bërë e ditur vetëm personit në fjalë dhe nuk do të publikohet për të ruajtur të drejtat e personit. Por kjo çështje mund të mos jetë e mbyllur as për të pasi Bility mund ta dërgojë vendimin e komisionit zgjedhor para Gjykatës për Gjykimet Sportive (TAS/CAS).