KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Fillon deportimi i refugjatëve nga Greqia në Turqi
greqi turqi refugjate deportohen marreveshje

Fillon deportimi i refugjatëve nga Greqia në Turqi

Ka mbërritur në Turqi, grupi i dytë i refugjatëve të deportuar nga Greqia, si pjesë e marrëveshjes Europiane për të reduktuar numrin e të ardhurve në Europë. Një anije me 45 shtetas pakistanezë, u nis nga porti i ishullit grek të Lesbos herët në mëngjes, ndërsa më vonë u nis dhe një anije tjetër me 80 persona në bord. Por deportimi i migrantëve shkaktoi protesta të aktivistëve të të drejtave të njeriut në Lesbos, tre prej të cilëve u hodhën në ujë pranë anijes me të cilën do të transportoheshin 45 migrantët, në përpjekje për të ndaluar nisjen e mjetit.

Rreth 200 migrantë, shumica shtetas pakistanezë, u deportuan në Turqi të hënën e shkuar në bazë të marrëveshjes mes Bashkimit Europian dhe Turqisë, vend i cili ka shërbyer si rrugë tranzite për migrantët. Sipas kësaj marrëveshjeje, migrantët të cilët kanë mbërritur në mënyrë të paligjshme në Greqi që nga data 20 mars, pritet të kthehen në Turqi nëse nuk aplikojnë për azil ose nëse kërkesa e tyre për azil refuzohet. Për çdo sirian të kthyer në Turqi, Bashkimi Europian pritet të tërheqë nga Turqia nje sirian që ka bërë kërkesë të ligjshme për tu pranuar në vendet e bllokut.