KRYEFAQJA » LAJME » Fillon seanca parlamentare, Meta thirrje për “konsensus patriotik”
Meta për Reformën në Drejtësi : “Të bëjmë që kjo reformë të ketë një zbatim sa më të suksesshëm"

Fillon seanca parlamentare, Meta thirrje për “konsensus patriotik”

Parlamenti shqiptar ka nisur rreth orës 11.15 seancën plenare për Reformën në Drejtësi mes mosmarrëveshjeve të thella për arritjen e konsensusit për votim. Kreu i parlamentit Ilir Meta shprehur keqardhjen që seanca nuk nisi në kohë, por tha se ajo nuk do të mbyllet pa u miratuar reforma. Megjithatë ai tha se konsensusi mes palëve është më i rëndësishëm se reforma. Ne nuk duhet të rrezikojmë stabilitetin e Shqipërisë, një vend anëtar i NATO-s, tha zoti Meta. Ai ftoi negociatorët të takohen dhe të sheshojnë mosmarrveshjet për të siguruar konsensusin e nevojshëm.
Fjalimi i zotit Meta ishte një thirrje drejtuar të gjithëve për të reflektuar dhe për të votuar sikurse u shpreh me konsensus patriotik. “Besoj tek përgjegjshmëria e Edi Ramës që ka qenë më konstruktivi në këto bisedime dhe besoj shumë tek përgjegjshmëria e Lulzim Bashës”, u shpreh zoti Meta.
Por ndërsa i drejtoi zotit Basha një ftesë që të sqarojë pozicionin e tij me SHBA, zoti Meta u kujdes që të sqaronte edhe pozicionin e tij. “Dua t’i them ambasadorit amerikan mos dëgjo lartë e poshtë që Meta bën lojë! Ilir Meta nuk bën lojë! E kam thënë që të 20 votat e LSI-së do të jenë për reformën, por duhet konsensus dhe e vetmja mënyrë për të gjetur konsensus është sipas Venecias”, tha ai.
Megjithatë në fjalën e kreut të parlamentit, i cili është dhe kreu i LSI, partisë së dytë të koalicionit qeveritar, ra në sy se marrëniet mes aleatëve nuk janë më si më parë. “Votoj, por nuk rri në një kuvend ku votohet mes shantazhit” tha kreu i LSI duke kujtuar deklaratat e ditëve më parë se ai ishte i gatshëm të jepte madje dhe dorëheqjen.