KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Filmi “Hije”, premierë në TIFF

Filmi “Hije”, premierë në TIFF

Filmi indipendent shqiptar u prezantua para publikut në ditën e dytë të TIFF, me filmin artistik “Hije” nga regjisori Jotti Ejlli. Një film i parë i gjatë i realizuar me buxhet të vogël, por me një kast aktorësh të shkëlqyer. “Hije solli në ekranin e madh emra si Alfred Trebicka, Gent Kame, Sokol Angjeli, Eglantina Ceno, Kastriot Shehi, dhe një zbulim që vjen nga Italia, Antonio Kowdrin.
Filmi ngre pikëpyetje të mëdha mbi të vërtetat e tmerrshme që mbahen fshehur në gjirizet e malavitës që herë pas herë përcakton fate njerëzish. Ngjarja e vrasjeve të disa personave ka tronditur një qytet të vogël. Një grup me të shkuar kriminale është eliminuar brenda natës. Një prokuror heton mbi çështjen duke pyetur të vetmen dëshmitare që është pjesë e ngjarjeve, Gjithçka duket sikur ka ndodhur për motive të dobëta xhelozie. Por e vërteta që kurrë nuk do kuptohet, është komplet e kundërt. “Hije” merr pjese në programin “Made In Albania” ku po ashtu prezantohet edhe filmi “Young Lady” nga Genc Berisha. Në projeksionet speciale u prezantuan edhe filmi “Julieta nga Pedro Almodovar. Ndërsa mbrëmja e ditës së tretë të festivalit ka rezervuar një mbrëmje të veçante debati “Mbi vetminë e Abas Kiarostamit në Kinema” e cila drejtohet nga kritiku i filmit iranian Mehdi Abdollahzadeh.