KRYEFAQJA » LAJME » Finalizohet me sukses operacioni “Arsenali” nga policia e Elbasanit
Policia-e-Elbasanit

Finalizohet me sukses operacioni “Arsenali” nga policia e Elbasanit

Policia e Elbasanit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Arsenali”, në kuadër të të cilit ka sekuestruar një kallashnikov, dhjetëra granata dhe mijëra fishekë. Për këtë ngjarje është arrestuar në flagrancë shtetasi Ismail Hyka, 50 vjeç, banues në fshatin Karakullak të Elbasanit. Arrestimi i Hykës u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjetën një kallashnikov, 500 fishekë pistolete, 3000 fishekë automatiku, 3 granata dore ofensive, 20 granata dore difensive, 23 ndezës metalikë, 5 krëhëra automatiku kallashnikov, 3 krëhëra pushke, 8 kallëpe tritoli dhe 1 kapsollë plasëse me fitil. Ende nuk dihet se cila ishte arsyeja e ruajtjes së një arsenali të tillë nga i ndaluri. Autoritetet policore po hetojnë nëse ato do të përdoreshin në ngjarje kriminale, apo thjesht për tregëti të jashtëligjshme.