KRYEFAQJA » LAJME » Firmoset programi i ri i bashkëpunimit me OKB-në

Firmoset programi i ri i bashkëpunimit me OKB-në

108 milionë dollarë është fondi që Kombet e Bashkuara do të lëvrojnë për Shqipërinë gjatë periudhës 2017-2021 duke synuar zhvillimin dhe avancimin e mëtejshëm të saj. Gjatë firmosjes së protokollit të bashkëpunimit për zhvillim të qëndrueshëm mes qeverisë shqiptare dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara, zëvëndëskryeministri Niko Peleshi, vlerësoi mbështetjen e kësaj organizate si një kontribut themelor në avancimin e Shqipërisë drejt përmbushjes së objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm.

Sipas Brajën Uilliams, koordinator rezident i OKB-së në vendin tonë, Shqipëria mund të konsiderohet një histori suksesi përsa i përket punës së bërë nga kjo organizatë për mbështetjen e aspiratave integruese drejt Bashkimit Europian. Të drejtat e njeriut, barazia gjinore, forcimi i sundimit të ligjit, por edhe në reforma territoriale, ishin në fokus të programit të bashkëpunimit për vitet 2012-2016, për të cilin kjo organizatë lëvroi shumën e 90 milionë eurove.