KRYEFAQJA » LAJME » Flamurtari i shpëton rrezikut të zbritjes nga kategoria
flamurtari, futboll, sport, zbritje kategorie, shpeton

Flamurtari i shpëton rrezikut të zbritjes nga kategoria

Flamurtarti ka shmangur më të keqen, që do të ishte zbritja një kategori më poshtë, për shkak të borxheve të pashlyera kundrejt 4 ish-futbollistëve, që kapnin shumën e afro 120 mijë eurove. Kjo u bë e mundur pas marrëveshjes që klubi vlonjat ka arritur me Federatën Shqiptare të Futbollit, ndërsa pagesa e kësaj shumë do të bëhet në dy faza. Bëhet fjalë për futbollistët Franc Veliu, Artan Sakaj, Polizoi Arbri dhe Erion Vucaj, të cilët kanë marrë dje gjysmën e vlerës që u detyrohet klubi vlonjat, ndërsa gjysmën tjetër Flamurtari do t’ua shlyejë brenda janarit të vitit të ardhshëm. Ndonëse marrëveshja mbi këtë çështje është arritur që më datë 19 nëntor, ajo është bërë publike vetëm mbrëmë dhe është konfirmuar edhe nga vetë futbollistët. Këta të fundit kanë firmosur edhe një shkresë drejtuar Federatës Shqiptare të Futbollit, ku bëjnë të ditur se tërhiqen nga padia që kanë bërë ndaj klubit vlonjat. Pas kësaj, Flamurtari shpreson t’i rikthehen edhe 6 pikët e zbritura nga renditja si ndëshkim nga ana e Komisionit të Disiplinës pranë organizmit që qeveris futbollin në vend.