KRYEFAQJA » LAJME » Fleckenstein dhe Kukan, përshëndesin miratimin e ligjit për dekriminalizimin
Fleckenstein dhe Kukan flasin për TVSH në prag të vendimit të KE për Shqipërinë

Fleckenstein dhe Kukan, përshëndesin miratimin e ligjit për dekriminalizimin

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein dhe eurokomisioneri Eduard Kukan, kanë përshëndetur menjëherë miratimin nga parlamenti shqiptar të ligjit për dekriminalizimin. Në një letre drejtuar kryeministrit dhe kreut të PS Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, shprehen se “Sot duam t’ju përgëzojmë juve dhe partitë tuaja për miratimin e ligjit për përjashtimin e personave me rekorde kriminale nga postet publike (të ashtuquajtur dekriminalizim), i cili ishte edhe një pjesë kyçe e marrëveshjes politike të arritur një vit më parë. Ne besojmë se vullneti politik dhe kontributi i vendosur i partive më të mëdha në Shqipëri në këtë proces do të ketë gjithashtu një influencë historike në politikën shqiptare, si dhe do të ndihmojnë shtetasit shqiptarë të rifitojnë besimin tek udhëheqësit politik dhe politika në përgjithësi. Duam të theksojmë gjithashtu se mbështetja dhe kontributi juaj do të jenë gjithashtu kyçe në implementimin e shpejtë dhe me efiktivitet të këtij ligji”.
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein dhe eurokomisioneri Eduard Kukan, ndërkohë shprehen se “inkurajojmë vijimin e dialogut politik mes partive tuaja në të gjitha çështjet me rëndësi të veçantë të Shqipërisë, në lidhje me procesin e anëtarësimit, duke përmendur këtu reformën në drejtësi, e cila do të jetë jetike për Shqipërinë që të kalojë në fazën tjetër të këtij procesi. Ne do t’iu mbështesim gjithnjë juve dhe Shqipërinë, në përpjekjet e saj për t’u bërë anëtare e BE-së sa më shpejt të jetë e mundur”, përfundon letra e europarlamentarëve drejtuar zotit Rama dhe zotit Basha.