KRYEFAQJA » LAJME » Fleckenstein për TVSH: “Vettingu i vetmi kusht për integrimin”

Fleckenstein për TVSH: “Vettingu i vetmi kusht për integrimin”

Nuk janë 7 prioritete por vetëm një kusht për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. I këtij qëndrimi është edhe raportuesi për Shqipërinë Fleckenstein i cili në një intervistë për TVSH vlerësoi ecurinë e Shqipërisë në rrugën Europiane.

“Besoj se është shumë e qartë, dhe e dëgjuat edhe nga Kancelarja Merkel kur iu drejtua zotit Rama, se e kemi parë përparimin e madh që ka bërë Shqipëria. Është shumë të qartë që negociatat duhet të çelen shumë shpejt, sapo të fillojë zbatimi i Reformës në Drejtësi. Nuk mund të presim për zbatimin e çdo gjëje, sepse në vende të tjera zbatimi fillon dhe gjatë negociatave. Besoj se në lidhje me Reformën në Drejtësi puna është bërë. Si një faktor kyç në bashkëpunimin rajonal, ne jemi shumë të kënaqur me punën e qeverisë” u shpreh zoti Fleckenstein.

Nga Berlini raportuesi për Shqipërinë u shpreh skeptik në lidhje me deklaratat e kreu të komisionit të jashtëm të bundestagut Kirschbaum në Tiranë. Ai tha se qeveria shqiptare i ka përmbushur detyrimet por ende mbetet punë deri në realizimin e proçesit të vettingut.

“Besoj se zoti Kirschbaum përmendi disa pika të cilat tashmë duhet të fillojnë të zbatohen, por nuk besoj se është e drejtë ajo që ai tha, që ne duhet të presim derisa çdo gjë të zbatohet, edhe në 2018-ën, më duket se tha të shohim. Ndoshta është një informacion i gabuar që ka marrë, sepse Bundestagu gjerman nuk ka zë në lidhje me këtë, është parlamenti europian, dhe jo 28 parlamente që duhet të vendosin në lidhje me çdo hap” tha raportuesi për Shqipërinë Fleckenstein.