KRYEFAQJA » LAJME » Flekenshtain, apel për kompromis politikës shqiptare
Flekenshtajn politikës shqiptare: Bashkë për miratimin dhe respektimin e ligjeve

Flekenshtain, apel për kompromis politikës shqiptare

Reforma në drejtësi pritet të jetë kryefjala e fillimit të javës së ardhshme me një vizitë të paralajmëruar të eurodeputetëve Kukan e Flekenshtain në Tiranë. Siç bëhet e ditur për RTSH nga zyra e eurodeputetit Flekenshtain, qëllimi i vizitës është informimi për ecurinë e reformës në drejtësi. Kjo reformë vazhdon të mbetet një çështje qëndrore jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por dhe për BE-në, e cila ka vendosur si kusht miratimin e saj për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë. Në axhendën e njoftuar nga të njëjtat burime për RTSH, përfshihen biseda me kryeministrin, me kreun e kuvendit, kreun e komisionit parlamentar për drejtësinë Xhafaj, kreun e opozites Basha dhe deputetin Halimi si dhe me eksperte ndërkombëtare të Euralius dhe OPDAT.
Vizita e dy eurodeputetëve në Tiranë, veçnërisht zotit Flekenshtajn, i cili është njëkohësisht raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, shihet edhe në konteksin e raportit vjetor që ai ka përgatitur për Shqipërinë. Raporti pritet t’i paraqitet komisionit të jashtëm në Parlamentin Europian më 16 shkurt. RTSH ka arritur të sigurojë vlerësimet paraprake që jepen në këtë raport për reformën në drejtësi.
Raporti përshëndet përparimin e vazhdueshëm të Shqipërisë lidhur me reformat në prioritetet kyçe të cilat janë të nevojshme për çeljen e bisedimeve. Raporti inkurajon qeverinë për të mbajtur vrullin e reformave dhe për të vazhduar me shpejtësi.
Një klasifikim i dytë vlerësimesh, përshëndet angazhimin e Shqipërisë për reformën gjyqësore, në të njëjtën kohe që inkurajohet fuqimisht për vazhdimin e pandërprerë të përgatitjeve për këtë reformë vendimtare për të rikthyer besimin e qytetarëve dhe komunitetit të biznesit në sistemin e drejtësisë. Raporti nënvizon nevojën për të adresuar mangësitë aktuale në funksionimin e sistemit gjyqësor, të tilla si politizimi dhe llogaridhënia e kufizuar, një nivel i lartë korrupsioni, burimet e pamjaftueshme dhe zgjatja e procedurave gjyqësore. Vlerësime në raportin vjetor për Shqipërinë ka marrë dhe puna e deritanishme e Komisionit te Posaçëm Parlamentar për Reformën Gjyqësor. Ndërkohë u bëhet thirrje të gjitha palëve për të punuar drejt një kompromisi për ndryshimet thelbësore në gjyqësor. Ato kanë të bëjnë ndër të tjera me pavarësinë e plotë dhe përgjegjshmërinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe me paanshmërinë e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese.