KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » FMN nis takimet në Tiranë
FMN mbërrin në Tiranë

FMN nis takimet në Tiranë

Përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, gjendet në Tiranë për të zhvilluar një tjetër raund bisedimesh me autoritetet shqiptare, për zhvillimet e aktuale dhe perspektive të ekonomisë. Takimin e parë e kanë zhvilluar të mërkurën në mëngjes me ministrin e financave Arben Ahmetaj. Burime nga ky dikaster bëjnë të ditur se në qendër të diskutimeve kanë qenë zhvillimet e fundit ekonomike në vend, si dhe hartimi i paketës fiskale për vitin e ardhshëm. Zyrtarë të FMN kanë thënë se mund t’i kërkojnë qeverisë heqjen dorë nga përjashtimi i taksave për sektorë të caktuar, siç është rasti i heqjes së taksave për biznesin e vogël apo edhe tarifat zero për shumë produkte. 
Pak ditë më parë në një intervistë për TVSH përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së në Shqipëri Jens Reinke, u shpreh se parashikimi prej 3.4 për qind i rritjes ekonomike të Shqipërisë, mund të tejkalohet. “Misioni i FMN-së do të vizitojë Tiranën javën e ardhshme dhe do të rishikojë situatën ekonomike. Mendoj se axhenda e përforcuar e reformave dhe politikat e qendrueshme ekonomike, do të çojnë në një rishikim pozitiv për rritjen ekonomike” tha ai.
Vizita e misionit të FMN-së në Tiranë vjen pas miratimit të dy kësteve të kredisë për Shqipërinë me vlerë totale 72.4 milionë euro. I gjithë programi i nënshkruar 2 vjet më parë parashikon një mbështetje financiare prej rreth 330.9 milion euro, lëvrimi i së cilës është i ndarë në 9 këste. (E përditësuar)