KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » FMN miraton disbursimin e këstit prej 72. 4 milionë eurove për Shqipërinë
FMN mbërrin në Tiranë

FMN miraton disbursimin e këstit prej 72. 4 milionë eurove për Shqipërinë

Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar miratoi të mërkurën rishikimin e pestë dhe të gjashtë të marrëveshjes me Shqipërinë, duke i hapur rrugë disbursimit të këstit prej 72. 4 milionë eurove. Sipas vendimit Bordi Ekzekutiv i FMN ka aprovuar rishikimin e ecurisë së ekonomisë së Shqipërisë në bazë të programit tre vjecar të asistencës të nënshkruar me qeverinë shqiptare në shkurt të vitit 2014. Programi parashikon një mbështetje financiare prej 330.9 milion euro në kohën e nënshkrimit dy vjet më parë, lëvrimi i së cilës është i ndarë në 9 këste. Me këtë vendim, bordi i FMN-së i hapi rrugë lëvrimit të këstit të pestë dhe të gjashtë që në total shkojnë afërsisht 72,4 milion euro, duke bërë që shuma e dhënë deri tani të jetë afërisht 226.8 milion euro.
Sipas zëvendësdrejtorit për Menaxhimin Min Zhu “rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë është në rrugën e duhur, por rreziqet janë të pranishme”. Referuar autoriteteve shqiptare drejtori është shprehur se ato kanë treguar angazhim “të fortë” në zbatimin e marrëveshjes “përfshirë zbatimin e reformave strukturore ambicioze dhe të vështira. “Autoritetet duhet të ngulmojnë në programin e tyre të reformave, dhe mbështetur në përparimin domethënës të deritanishëm, të shtyjnë përpara potencialin e rritjes së vendit, duke ruajtur ndërkohë stabilitetin makroekonomik” tha zoti Zhu.
Zyrtari i Fondit Monetar ka vlerësuar si të përshtatshëm synimin e autoriteteve për konsolidimin fiskal, duke shtuar se “për këtë qëllim, ato duhet të shmangin përjashtimet e mëtejshme nga taksat dhe normat preferenciale të taksave. Përveç kësaj, orientimi i autoriteteve për të përmirësuar sistemin e taksave duhet të përshtatet më mirë me praktikat më të mira ndërkombëtare”, thekson FMN-ja.
Zyrtari i FMN-së, nënvizon se “do të jetë e rëndësishme të forcohen kapacitetet për zbatimin e projekteve të investimeve publike dhe të garantohet se ndikimi i çdo projekti të ri Partneritet Publik Privat në llogaritë fiskale po vlerësohet në mënyrë transparente dhe në përputhje me normat ndërkombëtare”.