KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » FMN, vizitë 2-javore në Tiranë
FMN

FMN, vizitë 2-javore në Tiranë

Misioni i posaçëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka mbërritur këtë të mërkurë në Tiranë, për takimet e rradhës me autoritetet shqiptare. Përfaqësuesit e FMN-së e kanë nisur vizitën zyrtare të qershorit me ministrin e Financave Arben Ahmetaj, në një takim mëngjesi që ka zgjatur rreth një ore. Burime nga ky dikaster bëjnë të ditur se në qendër të diskutimeve kanë qenë zhvillimet e fundit ekonomike në vend. Rishikimi i buxhetit të këtij viti, si dhe paketa fiskale për vitin e ardhshëm janë dy shtyllat kryesore të kësaj vizite. Pas takimit ne Ministrinë e Financave, ekipi me ekspertët e FMN-së zhvilloi një takim edhe me guvernatorin e Bankës së Shqipërise, Gent Sejko.
Ndërkaq, axhenda e misionit të FMN-së parashikon takime të tjera me drejtuesit më të lartë të institucioneve financiare në vend, si Ministria e Ekonomisë dhe disa autoritete të tjera. Ekspertët e FMN parashikohet të qëndrojnë në Tiranë për rreth dy javë e në datën 28 qershor pritet konferenca e përhershme për shtyp në Ministrinë e Financave. Kjo vizitë e FMN-së në Tiranë vjen pas miratimit të këstit të shtatë të kredisë për Shqipërinë në vlerën e 36 milion eurove.