KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Forcat irakiane fillojnë sulmin mbi Falluxha
falluxha

Forcat irakiane fillojnë sulmin mbi Falluxha

Forcat irakiane filluan një sulm të gjerë për të rimarrë Falluxhan, fortesë e grupit Shteti Islamik, pas një rrethimi disamujor të qytetit. Falluxha ishte qyteti i parë irakian që ra në duart e ekstremistëve të Shtetit Islamik në janar të vitit 2014 dhe grupi ishte rrënjosur fuqishëm. Kryeministri irakian, Haider al-Abadi, tha se forcat irakiane po i afrohen “çastit të një fitoreje të madhe”. “Flamuri i Irakut do të ngrihet lartë mbi Falluxha”, tha Abadi në një paraqitje televizive të dielën përkrah ushtarakëve të lartë të vendit. Ushtria irakiane u ka bërë thirrje banorëve të bllokuar të qytetit që të shënojnë vendndodhjen e tyre me flamuj të bardhë. Një numër i vogël familjesh kanë arritur të largohen nga qyteti gjatë muajve të fundit, me gjithë përpjekjet e trupave qeveritare që të hapin koridore të sigurta. Operacioni për të rimarrë qytetin pritet të përfshijë një numër forcash irakiane, duke përfshirë ushtrinë, trupat antiterroriste, luftëtarët vullnetarë suni dhe milicitë e fuqishme Shiite.