KRYEFAQJA » LAJME » Forumi Botëror i Investimeve Inovative: Qeveria Shqiptare, më e mira në Evropën Juglindore

Forumi Botëror i Investimeve Inovative: Qeveria Shqiptare, më e mira në Evropën Juglindore

Qeveria Shqiptare është vlerësuar në Forumin Botëror të Investimeve Inovative si “Qeveria më e mirë në Evropën Juglindore për mbështetjen e Inovacionit”. E pranishme në këtë forum prestigjioz, i cili u zhvillua në Stamboll të Turqisë, Ministrja e Shtetit për Inovacionin, Milena Harito tregon për Televizionin Shqiptar arsyet se përse vendi ynë u vlerësua me këtë çmim, duke përmendur ndër të tjera edhe heqjen e taksës së biznesit të vogël.

“Ajo prek shumë edhe kompanitë e vogla inovative, të cilat tashmë nuk paguajnë më taksën e biznesit të vogël, dhe kjo është një arritje që të gjithë vëndet e rajonit e konsideruan shumë të suksesshmë. Në fund, në fushën e teknologjisë dhe informacionit, ne prej dy vjetësh kemi marrë një sërë masash, iniciativash, për të mbështetur startup-et dhe kompanitë e vogla në fushën e teknologjisë. Dhe rezultatet janë të prekshmë. Ndërkohë, do të inagurojmë dhe godinën e inovacionit ku do të jetë vendi ku të gjithë këto startupe do të gjejnë informacion, mbështetje, instrumenta e gjithçka iu duhet që të rriten e të bëhen kompani të suksesshme.”

Për ministren Harito, sektori i inovacionit dhe teknologjisë pritet të zhvillohet akoma më shumë në 10 vitet e ardhshme.

“Pra, është jetike që rinia jonë të drejtohet drejt këtij sektori ku ka punë, ka punë të mirë-paguar, ka punë me të ardhme. Prandaj ne po bëjmë gjithçka që ky sektor të forcohet, zhvillohet, dhe rinia të drejtohet drejt këtij sektori.”

Forumi Botëror i Investimeve Inovative bashkon sektorin publik, sektorin financiar dhe korporatat për të bashkëpunuar për Investimet për të ndihmuar bizneset fillestare të transformohen në kompani rentabël.