KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Forumi ekonomik Shqipëri – Kroaci, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit mes dy dhomave të ekonomisë dhe tregtisë

Forumi ekonomik Shqipëri – Kroaci, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit mes dy dhomave të ekonomisë dhe tregtisë

Forumi ekonomik Shqipëri – Kroaci , mbajtur në ditën e dytë të vizitës së presidentit Nishani në Zagreb, u shënua nga konkretizimi i vullnetit të krerëve të dy shteteve për të cuar në nivelin e bashkepunimit politik edhe marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve. Në forumin ku morën pjesë një numër i madh sipërmarrësish shqiptare e kroat u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit mes dy dhomave të ekonomisë dhe tregtisë cka për kreun e shtetit Bujar Nishani u cilësua si hapja e një kapitulli të ri në marrëdhënien mes dy vendeve.

Presidenti i Republikës vlerësoi gjithashtu edhe impaktin rajonal që ka bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve, si dhe përshëndeti bashkëpunimin në kuadrin e Korridorit Adriatiko-Jonian, Gazsjellësve TAP dhe IAP, si dhe në kuadrin e Strategjisë së re të Bashkimit Evropian për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit EUSAIR. Kreu i Shtetit i konsideroi këto projekte si mundësi të shkëlqyera për biznesin e të dy vendeve. Këto dy projekte të rëndësishme u vlerësuan edhe nga presidentja kroate Grabar Kitarovic një kontribut i madh I lidhjes mes dy vendeve,që do të intensifikojnë investimet kroate në Shqipëri. Kreu i dhomës shqiptare të tregtisë Nikolin Jaka garantoi mbështetjen e fortë ndaj cdo sipërmarrësi kroat që do të zgjedhë të investojë në Shqipëri.