KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Forumi i katërt financiar në Tiranë
big_big_foto1

Forumi i katërt financiar në Tiranë

Forumin e katërt financiar të organizuar nga Banka e Shqipërisë, shefja e misionit të FMN-së Anita Tuladhar e shfrytëzoi për të dhënë këtë mesazh kryesor. “Rimëkëmbja në ekonomi po forcohet, por ajo mund të vazhdojë edhe më tej, me fokus biznesin dhe kreditimin. Në Shqipëri rritja e kreditimit është më e ulët se vendet e tjera, unë e di që një arsye është edhe fshirja e kredive nga bilanci. Gjithsesi, rritja e kredisë është më e ngadaltë se vendet e rajonit. Kërkesa vazhdon të jetë e ngadaltë për kredi, në veçanti kërkesa nga ndërtimi që në 2008 ka qenë kryesorja. Nga ana e ofertës një vështirësi kanë qenë kreditë e këqija”. Edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko e vuri theksin tek rëndësia që ka rritja e kreditimit për ekonominë.
“Kredia është si oksigjeni për ekonominë. Faktorët nga ana e ofertës janë më të shumtë se ata të kërkesës. Nëse nuk përmirësohet oferta, mund të vihet në rrezik kreditimi. Banka e Shqipërisë ka bërë përpjekje për rigjallërimin e kredisë. Bankat tregtare janë aktorë kyç, duhet të jenë më largpamëse dhe më elastike për kreditimin”.
Ndërsa minsitri i Financave Arben Ahmetaj kërkoi nga bankat që të orientojnë kreditimin në këto sektorë: “Perspektiva jonë janë sektorët që garantojnë avantazhe konkurruese për ekonominë shqiptare.‎ Ne jemi tejet të fokusuar në sektoret e bujqësisë, energjisë dhe mineraleve, turizmit apo manifaktures.” Bankat që operojne në vendin tonë janë institucione me staf të kualifikuar, mirë trajnuar dhe mirë shpërblyer dhe jam i bindur që me pak më shumë fokus mbi këtë çështje, do të gjejnë hapësirën e duhur për të kredituar.” E ndërsa këtë vit, fokusi ishte kreditimi, një vit më parë në qendër të diskutimeve të këtij forumi ishte portofoli i lartë i kredive me probleme, niveli i të cilave aktualisht ka njohur ulje.