KRYEFAQJA » LAJME » Franca mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në BE
Franca mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në BE

Franca mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në BE

Kryeministri Edi Rama me ftesë të Kryeministrit francez Manuel Valls, zhvilloi të enjten njv vizitë zyrtare në Paris, njofton zyra e shtypit e kryeministrit shqiptar.
Të dy kryeministrat në takimin dypalësh që zgjati mbi një orë, vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes vendeve dhe shprehën vullnetin dhe angazhimin e përbashkët të dy qeverive për forcimin e bashkëpunimit të në ardhmen, me fokus në fushën e shërbimeve inteligjente, drejtësisë dhe policisë.
Kryeministri Rama i shprehu Kryeministrit francez solidaritetin dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare në luftën e përbashkët të vendeve kundër terrorizmit, kërcënimit më serioz të vlerave njerëzore në mbarë botën.
Nga ana e tij, Kryeministri francez Valls vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare si një qasje shumë pozitive për hapjen e negociatave, dhe insistoi për mbështetjen e Francës në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Kryeministri Rama falenderoi homologun francez për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Shqipërisë.
Bashkëpunimi në fushën e kulturës ishte një prej temave të diskutimit, ku një interes të veçantë për palën mikëpritëse paraqitën nismat shqiptare në fushën e shkëmbimeve rinore, ku Shqipëria me traditën e saj të bashkëjetesës në paqe mes besimeve fetare, është një shembull frymëzues për një rini pa komplekse ndaj kulturave fetare dhe respekt ndaj besimeve të tjera.
Ndërkohë Franca mirëpret Konferencën e Parisit 2016, ku kërkon që Shqipëria të luajë një rol kyç.
Më pas, Kryeministri Rama dhe homologu francez Valls zhvilluan një takim kokë më kokë, në kopshtet e Matinjon.