KRYEFAQJA » LAJME » Francë-Bullgari 4-1, sonte Gjermani-R. Çeke direkt në RTSH
Edhe për Shqipëri - Spanjë

Francë-Bullgari 4-1, sonte Gjermani-R. Çeke direkt në RTSH

Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar vijon me transmetimet sportive dhe të premten në mbrëmje, ka sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt sfidën më të spikatur të grupit A, midis Francës dhe Bullgarisë. Në fakt, ndeshja ka nisur shumë keq për vendasit, të cilët e gjejnë veten në disavantazh pas vetëm 6 minutash lojë, sepse Aleksandrov ka shënuar për bullgarët. Por kjo zgjat deri në minutën e 23-të, kur Gameiro barazon shifrat dhe vendasit përmbysin gjithçka me 2 gola të tjerë, të shënuar brenda një çerek ore lojë. Dimitri Paje e kalon Francën në epërsi në minutën e 26-të, ndërsa 7 minuta para përfundimit të pjesës së parë, Antuan Grizman i ka çuar shifrat në 3-1, me një goditje nga jashtë zone. Edhe pjesa e dytë do të flasë bindshëm për vendasit, të cilët do të gjejnë edhe një gol tjetër me anë të Kevin Gameiros, që firmos kështu dygolëshin e tij në këtë takim. Ndërkohë, transmetuesi publik do të sjellë sonte,për sportdashësit drejtpërdrejt takimin e vlefshëm për grupin C midis Gjermanisë dhe Republikës Çeke, që nis në ora 20:45. Ndërsa të dielën do të vijë fillimisht sfida midis Ukrainës dhe Kosovës, që nis në ora 18:00, dhe më pas ndeshja e madhe e Shqipërisë me Spanjën, që nis në ora 20:45. Të hënën vjen sfida e grupit A, që vë përballë dy prej skuadrave më të spikatur evropiane, Holandën dhe Francën, ndërsa të martën dueli i grupit F, midis Sllovenisë dhe Anglisë.