KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Francë, shtyhet me 3 muaj gjendja e jashtëzakonshme

Francë, shtyhet me 3 muaj gjendja e jashtëzakonshme

Presidenti francez Fransua Hollande gjatë fjalimit të tij drejtuar kombit, bëri të ditur se gjendja e jashtëzakonshme në vend është shtyrë edhe për tre muaj. Presidenti francez Hollande pas sulmit terrorist të enjten në Nisë ku humbën jetën 84 persona, deklaroi se “Franca është sulmuar në Ditën e saj kombëtare, e cila është simbol i lirisë”. Në fjalimin përmes televizionit kombëtar, Hollande tha se gjendja e jashtëzakonshme, e cila hyri në fuqi pas sulmeve të nëntorit në Paris dhe duhej të përfundonte më 26 korrik, pas sulmit në Nisë është vazhduar edhe në tre muajt e ardhshëm. Sulmi terrorist ndodhi gjatë kohës kur kamioni me ngjyrë të bardhë lëvizi në drejtim të masës rreth dy kilometra përgjatë “Promenade des Anglais” në kohën kur janë hedhur fishekzjarre. Sipas dëshmitarëve, shoferi ka dalë nga kamioni dhe ka hapur zjarr ndaj turmës, ndërsa më pas është neutralizuar nga forcat e sigurisë. “Dënoj edhe një sulm tjetër terrorist të cilin askush nuk mund ta mohojë dhe përsëri na ktheu në gjendjen e jashtëzakonshme. Franca në tërësi është nën kërcënimin e terrorizmit islamik. Duhet patjetër të tregojmë vigjilencë absolute dhe vendosmëri të palëkundur”, deklaroi Hollande në fjalimin drejtuar kombit. Ai shtoi se vendi i tij do t’i forcojë përpjekjet në Siri dhe Irak, të luftojë kundër atyre të cilët sulmojnë vendin e tij. Hollande paralajmëroi se sot do të udhëtojë në Nisë dhe do të takohet me përfaqësuesit e policisë, xhandarmërisë dhe autoriteteve lokale. Sulmi në Nisë ndodhi disa orë pasi Hollande paralajmëroi se më 26 korrik do të përfundojë gjendja e jashtëzakonshme, e cila hyri në fuqi pas sulmeve terroriste në Paris më 13 nëntor të vitit të kaluar. Atëherë në disa vende në kryeqytetin e Francës u vranë 130 persona.