KRYEFAQJA » LAJME » FGD protestë kundër kryeministrit
FRG protestë kundër kryeministrit

FGD protestë kundër kryeministrit

Forumi i Grave Demokrate, duket se po synon të çojë më tej konfliktin e deklaruar prej kohësh me kryeministrin Edi Rama. Duke shfrytëzuar një përplasje mes disa deputeteve demokrate dhe zotit Rama pak ditë më parë në parlament, Forumi i Grave Demokrate ka organizuar mesditën e së hënës një protestë para selisë së qeverisë. Folëset në podiumin e ngritur me këtë rast, mjaftë të revoltuara, po shpesh edhe me fjalë fyese e disi vulgare kanë sulmuar kryeministrin Rama.
Deputetja Albina Deda, e cila javën e kaluar u bë protagoniste në parlament duke hedhur objekte ndaj zotit Rama, çka shkaktoi përjashtimin e saj disa ditor, e akuzoi kryeministrin “si një frikacak që mban afër kriminelët që ka futur në parlament dhe administratë”.”Kur arrin të fyesh aq rëndë një grua, një deputete, një nënë, ti me siguri nuk e ke fare problem edhe të mashtrosh shqiptarët. I zhveshur siç je nga çdo normë banale, morale nuk pres që të më kërkosh falje. Gënjeshtra pas fyerjes pritej nga ti dhe nga soji yt” tha deputetja Deda.
Nga ana e saj kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas Shqiptare, deputetja Albana Vokshi, një nga polemizueset me të zjarrta brenda parlamentit me kreun socialist, tha se manifestimi i sotëm është një thirrje kombëtare në mbrojtje të jetës dhe integritetit të grave anembanë vendit. “Ky manifestim i sotëm i yni është një thirrje kombëtare, të gjitha sulmet nga grave dhe vajzave janë një kërcënim prezent për të drejtat e gjithë popullësisë.Protesta jonë sot nuk është manifestim politik, por marshim kombëtar për të drejtat e grave në të gjithë Shqipërinë” tha zonja Vokshi. Sipas demokrateve qeveria Rama në dy vjet e gjysëm të jetës së saj ka hedhur në rrugë mbi 5 mijë gra.
Zoti Rama i cili më shumë se një herë ka deklaruar sipas mënyrës së tij mbështetjen për gratë dhe vajzat shqiptare, ka hedhur poshtë vazhdimisht ditët e fundit deklaratat kundër tij. “Unë jam feminist, se jam socialist. Por, duan s’duan, jam dhe artist. E të jesh socialist dhe të jesh dhe artist dhe të mos jesh i emocionuar kur ke përpara gra dhe vajza, është e pamundur” tha ai pak ditë më parë në Forumin e Grave socialiste. “E nga ana tjetër unë nuk mund të pranoj dot asnjë leksion nga ata që kur ishin në qeveri e kishin qeverinë një çetë me burra dhe mbanin një grua të vetme për hajmali. E aq më tepër pastaj të marrësh leksion nga burra që i abuzojnë gratë për t’i bërë viktima, siç abuzuan me atë të shkretën që unë i thashë “motër”, ata thonë i tha “mostër” se duan ta përdorin viktimën për të luftuar me mua dhe me ne“, tha kryeministri Rama. Duke ju referuar statistikave, ai tha se qeveria e tij është me më shumë gra dhe përfaqësimi gjinor në këshillat bashkiake është i barabartë. Sipas zoti Rama edhe kongresi i ardhshëm PS do të jetë gjithashtu i përbërë nga gra dhe burra në përqindje të barabartë.