KRYEFAQJA » LAJME » Frikë nga “Bad Blue Boys”
Frikë nga “Bad Blue Boys”

Frikë nga “Bad Blue Boys”

Dy ditë para ndeshjes Skënderbeu- Dinamo e Zagrebit, ballafaqimimi i parë i play-off për Ligën e Kampioneve, klubi korçar është vënë në alarm. Shkak janë bërë njoftimet nga klubi kroat dhe nga UEFA, se anëtarët e grupit të tifozëve “Bad Blue Boys”, të cilët njihen për huliganizmin e tyre, do të jenë të mërkurën në “Elbasan Arena”. “Ne kemi informacion që ky grupim tifozësh, i cili organizohet jo vetëm nga kroatë, por edhe nga binjakëzime të tyre me tifozeri greke dhe boshnjake, po organizohen dhe mendohet të jenë të pranishëm në “Elbasan Arena””, tha në një deklarim për mediat menaxheri i skuadrës së Skënderbeut Mario Nikolli. “Ata bëjnë çdo gjë që të prishin mbarëvajtjen e ndeshjes, por jo vetëm” shtoi ai. Bëhet e ditur se skuadrën e Dinamos së Zagrebit do të vijnë dhe një numër i konsiderueshëm oficerësh kroatë, të cilët do të ndihmojnë palën shqiptare në neutralizimin e situatave të dhunshme, që mund të krijojnë tifozët e “Bad Blue Boys”. Klubi Skënderbeu i ka kërkuar policisë shqiptare që të marrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e kësaj sfide kaq të rëndësishme për Skënderbeun, por edhe për futbollin shqiptar. Kohët e fundit imazhi i futbollit shqiptar është goditur për shkak të dhunës. Rasti më i fundit ishte dënimi nga UEFA i Kukësit, pas incidenteve të rënda në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në takimin mes Kukësit dhe Legia të Varshavës, e vlefshme për Europa League.  Takimi  Skënderbeu- Dinamo e Zagrebit do të gjykohet nga një treshe gjyqtarësh rusë, me kryesor Sergei Karasev.