KRYEFAQJA » LAJME » Fundjava sportive në RTSH, sot dy sfida direkt
Kategoria Superiore: Nesër hidhet shorti në FSHF

Fundjava sportive në RTSH, sot dy sfida direkt

Sikundër ka ndodhur në këto dy muaj të para të sezonit sportiv, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar po sjell për sportdashësit edhe një tjetër fundjavë të mbushur me transmetime të drejtpërdrejta të ndeshjeve dy niveleve më të larta të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Kështu, gjithçka ka nisur të premten në mbrëmje, me takimin e vlefshëm për fazën e grupeve të Euroligës së Basketbollit, midis Barcelonës dhe Bambergut, një takim ky që është fituar nga katalanët. Të shtunën, transmetuesi publik ka sjellë duelin e vlefshëm për grupin B të nivelit të dytë të futbollit shqiptar, që njihet si Kategoria e Parë, atë midis Dinamos dhe Apolonisë, që u mbyll me rrjeta të paprekura. Ndërsa të dielën pasdreke vjen drejtpërdrejt një tjetër takim i Kategorisë së Parë, këtë radhë i vlefshëm për grupin A, midis Kamzës dhe Kastriotit, që nis në ora 14:00. Po të dielën në mbrëmje, transmetuesi publik do të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt edhe sfidën më të spikatur të mbrëmjes, atë midis Partizanit të vendit të dytë dhe Skënderbeut kryesues. Të hënën pasdreke do të vijë për sportdashësit një tjetër duel i vlefshëm për grupin B të nivelit të Kategorisë së Parë, ai midis Lushnjës dhe Bylisit.