KRYEFAQJA » LAJME » Fundjava Sportive në TVSH
Football, fundjava, sport, tvsh, ndeshje

Fundjava Sportive në TVSH

Duke nisur nga e enjtja e përgjatë 5 ditëve në vijim, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë për sportdashësit një numër të madh transmetimesh të drejtpërdrejt sportive, kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjithçka nis të enjten në mbrëmje me takimin e vlefshëm për javën e 5-të të Euroligës së Basketbollit për meshkuj, midis EA7 Milanit dhe Barcelonës. Të enjten në mbrëmje vonë, duke u gdhirë e premtja, emocionet në transmetuesin publik do të rriten, pasi duke nisur nga ora 00:45, do të vijë drejtpërdrejt supersfida amerikanolatine dhe botërore, midis Argjentinës dhe Brazilit. Ndonëse futbolli do të jetë kryefjalë e së premtes, pasi në mbërmje do të vijë, duke nisur nga ora 20:45, derbi britanik midis Anglisë dhe Skocisë, në kanalin e dytë të TVSH-së dhe në atë RTSH Sport të platformës dixhitale, do të vijë edhe një sfidë interesante volejbolli. Bëhet fjalë për duelin e meshkujve midis Partizanit dhe Erzenit, e vlefshme për javën e 6-të të Kampionatit Kombëtar. E shtuna do të flasë e gjitha shqip, pasi, duke nisur nga ora 18:00, vjen takimi Turqi-Kosovë, ndërsa duke nisur nga ora 20:45, vjen përballja e Kombëtares kuqezi me Izraelin, të dyja këto ndeshje të vlefshme për Eliminatoret e Botërorit 2018. Po të shtunën dhe të dielën vjen edhe akti i fundit i nivelit më të lartë të Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit, që njihet si Moto GP, që do të kurorëzojë edhe zyrtarisht Mark Markezin si “kampion” të këtij sezoni. Të dielën në mbrëmje vjen në ekranin publik një tjetër sfidë interesante e futbollit evropian, ajo midis Portugalisë dhe Letonisë. Ndërsa të hënën rikthehet volejbolli, me takimin e meshkujve, Farka Volej-Studenti, që vjen në TVSH 2 dhe RTSH Sport duke nisur nga ora 16:00, si me atë të femrave, Partizani-Teuta, që nis në ora 18:00.