KRYEFAQJA » LAJME » Fushatë në Tiranë në Ditën Botërore të Kafshëve endacake
Fushatë në Tiranë në Ditën Botërore të Kafshëve endacake

Fushatë në Tiranë në Ditën Botërore të Kafshëve endacake

Dita botërore e kafshëve endacake, e ka shtyrë Bashkinë e Tiranës dhe Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit, të ndërmarrin një fushatë ndërgjegjësimi me qytetarët. Synimi ishte për të spjeguar se si ata duhet të kujdesen për kafshët endacake, veçanërisht qentë e rrugës.
Fushata u drejtua të dielën drejtëpërdrejtë nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ishte në ambientet e klinikës veterinare të kafshëve në Kombinat. “Ne besojmë se ky është një proces i cili bëhet më i mirë kur njerëzit janë të edukuar dhe të arsimuar. Ne e dimë se kemi shumë njerëz që nuk i njohin kafshët e rrugës dhe mendojnë se janë të rrezikshme, ndërkohë që në pjesën më të madhe, kafshët janë vetëm të frikësuara. Ne besojmë se në një qytet si Tirana ka vend për të gjithë; ka vend edhe për njerëzit, edhe për kafshët” tha ndër të tjera zoti Veliaj.
Prej një muaji punonjësit e ndërmarrjeve të Bashkisë së Tiranës kanë nisur të trajtojnë kafshët endacake. Fillimisht ata i vaksionojnë për të eliminuar rrezikun e transmetimit të sëmundjeve dhe më pas i sterilizojnë për të shmangur shtimin natyror të tyre. Deri tani janë trajtuar rreth 350 qen, por mendohet se në Tiranë numri i tyre është shumë i madh, mbi 5000. Bashkia synon që gjatë këtij procesi të bëhet e mundur edhe adoptimi i kafshëve. “Në qoftë se ka njerëz ose familje që do të adoptojnë kafshët e rrugës, ne mund ta zgjidhim edhe më shpejt situatën e krijuar, sepse sikur secili në Tiranë të marrë një qenush nga rruga, ta rrisë në shtëpi dhe të përkujdeset, do të thotë që ka më pak probleme nëpër rrugë” tha kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.