KRYEFAQJA » LAJME » Futboll; Skënderbeu – Korabi 1-0
Skenderbeu, futboll, sport, korabi

Futboll; Skënderbeu – Korabi 1-0

Xhejms Adeniji ka qenë diferenca që ka ndarë Skënderbeun nga Korabi, në takimin e vlefshëm për javën e 11-të të Kategorisë Superiore, që u luajt të dielën në Korçë dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Në fakt, takimi ka nisur më i mirë për dibranët, që kanë bërë një vëllim më të madh loje, por kanë qenë të paqartë në finalizim. Gradualisht, Skënderbeu e zhvendos lojën në gjysmëfushën kundërshtare dhe Xhejms Adeniji nuk u ka besuar syve në mesin e pjesës së parë, kur, me një reagim instinktiv, portieri Vujadinoviç e ka larguar topin nga vija fatale. Megjithatë, portieri malazez i Korabit do të gabojë 5 minuta para përfundimit të pjesës së parë, kur, pikërisht përballë nigerianit të korçarëve, Adenijit, do të gjykojë gabim në lëvizje, duke i dhënë mundësi futbollistit të Skënderbeut të shënojë. Mbyllet kështu me epërsinë minimale të vendasve 45-minutëshi i parë, ndërsa ai i dyti do të shohë Skënderbeun më të tërhequr në administrim të rezultatit, ndërsa Korabin më ngulmues në kërkim të golit. Madje dibranët kanë menduar se e kanë gjetur golin e epërsisë në dy episode, por në të dyja rastet, gjyqtari Koçi ka vendosur që topi nuk e kishte kaluar vijën fatale. Mbyllet kështu me fitoren 1-0 të Skënderbeut kjo sfidë dhe korçarët mbeten në krye, me 23 pikë, ashtu sikundër edhe Korabi mbetet në fund, me vetëm 5 pikë të marra në këto 11 javë kampionat.