KRYEFAQJA » LAJME » Futboll, tërhiqet Partizani
Futboll, tërhiqet Partizani

Futboll, tërhiqet Partizani

Është shtyrë për disa javë, por edhe sot që duhet të luante ndeshjen e parë, prapë ka probleme. Kategoria e Parë e Kampionatit Kombëtar të Futbollit nuk e ka nisur të premten, siç ishte planifikuar, sezonin e saj të ri, pasi ndeshja midis Erzenit dhe Partizanit B, nuk është zhvilluar. Kjo ndeshje, që supozohej të luhej duke nisur nga ora 14:00 dhe që do të sillej për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, është anuluar për shkak të tërheqjes nga gara të Partizanit B. Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Televizionin Shqiptar shefi i garave në FSHF, Lysien Nurishmi, i cili ka sqaruar se për skuadrën që do të zëvendësojë kryeqytetasit do të vendoset brenda javës së ardhshme. “Ka një numër kriteresh mbi të cilat do të vendoset se cila do të jetë skuadra që do të zëvendësojë Partizanin B në grupin A të Kategorisë së Parë”, ka thënë Nurishmi nëpërmjet linjës telefonike. Ndërkohë, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar me Federatën Shqiptare të Futbollit, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë për sportdashësit takimin e së dielës, midis Dinamos dhe Shkumbinit, që nis në ora 16:00, si dhe atë të së hënës, midis Lushnjës dhe Tomorrit, që nis në ora 14:00. Të dy këto takime janë të vlefshëm për javën e parë të grupit B, apo grupit të Jugut, të nivelit të dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë.