KRYEFAQJA » LAJME » Futboll: U21 Shqipëri- Greqi 0-0

Futboll: U21 Shqipëri- Greqi 0-0

Përfaqësuesja e Nën-21-vjeçarëve të Shqipërisë, që njihet ndryshe si “Shpresat”, ka marrë një tjetër pikë të vlefshme në kuadër të grupit të 4-t të Eliminatoreve të Evropianit të kësaj grupmoshe. Në stadiumin “Elbasan Arena” Shqipëria barazoi 0-0 me Greqinë. Ndeshje ka nisur me një minutë të heshtjeje, për dy ngjarje të dhimbshme, në nderim të viktimave të ngjarjeve terroriste të ndodhura në Bruksel, por edhe nderim të legjendës së futbollit holandez dhe atij botëror, Johan Krojf, i cili u nda nga jeta të enjten, në moshën 68-vjeçare.
Pjesa e parë ka qenë kryesisht e varfër në raste, me të dyja skuadrat që më tepër kanë studiuar njëra-tjetrën sesa kanë menduar për sulmin. Ndërsa pjesa e dytë ka qenë më e bukur, dhe për Shpresat kanë spikatur futbollisti i Interit në Itali, Rei Manaj, si dhe ai i Viteses në Holandë, Milot Rashica, i cili do t’i bashkohet edhe Kombëtares së të rriturve për miqësoren e 29 marsit me Luksemburgun. Pavarsisht përpjekejeve të të dyja skuadra, kjo ndeshje, u mbyll pa gola. Shqipëria mban aktualisht vendin e dytë në renditje, me 9 pikë të grumbulluara pas 7 ndeshjesh.
Takimi u soll për sportdashësit drejtpërdrejt në kanalin e dytë tokësor, TVSH, si dhe në kanalin RTSH Sport të platformës dixhitale të RTSH.