KRYEFAQJA » LAJME » Gazetari Ilnica goditet nga presidenti i “Kastriotit”
Dhuna ndaj gazetarit, reagon politika

Gazetari Ilnica goditet nga presidenti i “Kastriotit”

Futbolli shqiptar vazhdon të ofrojë episode të dhunshme jo vetëm brenda fushës, por edhe jashtë saj. Mbrëmjen e së hënës është dhunuar fizikisht për shkak të detyrës gazetari i Telesportit Eduard Ilnica. Ilnica është çuar në spital ku është mjekuar dhe është jashtë rrezikut për jetën. Policia ka bërë të mundur identifikimin dhe më pas kapjen e autorit të kësaj vepre penale. Ai është Alban Vogli, 29 vjeç, presidenti i ekipit të “Kastriotit”. Vogli ka tentuar të marrë me forcë Ilnicën në mjetin e tij, ndërsa më pas e ka dhunuar duke e goditur me sende të forta. Shkak ka qenë, një artikulli që gazetari ka publikuar në një gazetë lokale, për dhunën që është shkaktuar pas ndeshjes të së shtunës, Korabi-Kastrioti. Ndaj Voglit rëndojnë veprat penale ” Plagosja e rëndë me dashje”, ” Heqja e paligjshme e lirisë” dhe ” Goditjet për shkak të detyrës”. Javën e kaluar tërhoqën vemendjen përplasjeve të dhunshme në Peshkopi dhe Pogradec gjatë zhvillimit të disa takimeve. Federata Shqiptare e Futbollit, dënoi dhunën e ushtruar dhe kërkoi sa më shumë qetësi dhe gjakftohtësi. Komisionet përkatëse, menjëherë kanë filluar hetimin e këtyre ngjarjeve të rënda dhe do të japin ndëshkimet më të rënda që paraqet rregullorja, shprehet FSHF.