KRYEFAQJA » LAJME » Fyen Skënderbeun, peticion kundër historianit turk
Fyeu Skënderbeun, peticion kundër historianit turk

Fyen Skënderbeun, peticion kundër historianit turk

Shumë pak orë pas publikimit të deklaratave denigruese të historian-ciceronit turk, Talha Ugurluel, ndaj heroit tonë kombëtar Skënderbeu, lëvizja “ShqipON”, nëpërmjet një peticioni “online” në faqen “Change.org” kërkon të mbledhë sa më shumë firma të qytetarëve, që turku Ugurluel të shpallet person “Non grata”, apo “i padëshirueshëm”.

Skënderbeu është simboli ynë kombëtar dhe si i tillë mbrohet prej Kushtetutës dhe Kodit Penal. Kërkojmë shpalljen “Non grata” të historianit turk Talha Ugurluel, për fyerje të simboleve kombëtare shqiptare. Kërkojmë zbatimin e ligjit penal shqiptar dhe parimin e reciprocitetit mes popujve, sanksionuar nga e drejta ndërkombëtare”, shkruhet në peticionin e publikuar në “Change.org”.

Historiani turk Talha Ugurluel ka marrë pjesë në një udhëtim të një grupi shtetasish turq në Shqipëri. Ai ka publikuar videot ku ka  bërë paralelizma mes terroristëve kurdë dhe Skënderbeut. Sipas tij, heroi ynë kombëtar nuk ka qenë asgjë tjetër veçse një tradhtar i Perandorisë Osmane, plaçkitës, bandit dhe kusar. Talha Ugurluel është i njohur në Turqi, pasi ka një emision rreth historisë osmane në kanalin “Haberturk”, ndërkohë që bën një emision në radion publike të Turqisë “TRT1”. Historian-cicerioni Ugurluel organizon udhëtime në vendet që kanë qenë pjesë e ish-Perandorisë Osmane dhe tregon historinë e tyre sipas variantit të tij.