KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Gabriel Garko në “Lazarat Burning”

Gabriel Garko në “Lazarat Burning”

Nese deri me tani keni parë filma hollivudiane që e portretizojnë Shqipërinë dhe shqiptarët për keq, që nga “Taken” e deri tek “War dogs”, harrojini. Po vjen “Lazarat Burning” i cili i frymëzuar nga ngjarje të vërteta sjell një histori “thriller-action” me djem që ngrihen mbi dramën sociale që sjell kultivimi i hashashit.
Ylli protagonist në këtë film aktori i njohur italian Gabriel Garko i cili për rolin e tij në këtë film që do të xhirohet tërësisht në Shqipëri shprehet për TVSH: “Rolet negative janë gjithnjë shumë tërheqës për një aktor, por edhe për spektatorin. Përshembull preferohet roli i dashnorit me shumë se sa ai i burrit. Në jetë jam totalisht i ndryshëm ndaj preferoj që në filma të marr herë pas here role negative. Edhe pse roli im në këtë film mund të duket në fillim i tillë me tej merr një kthesë tërësisht tjetër, por nuk dua tju tregoj filmin”.
Emri Lazarat duket se është cilësuar si një brand ndërkombëtar droge edhe pse tashmë nuk ekziston më. Por prej kësaj fame është vënë në gjurmët e historisë edhe producenti Issa Zaroui, i cili thekson se ky film përveçse të tregojë një histori me imput pozitiv po ashtu të fusë Shqipërinë në hartën e industrisë kinematografike. “Ne duam ta vendosim Shqipërinë në hartë me këtë film, p.sh nëse e keni para filmin “War dogs”, ai është xhiruar në disa lagje vërtetë të pista të Rumanisë dhe portretizon historinë e Gërdecit. Ai film është një fatkeqësi për Shqipërinë sepse nuk është Shqipëria reale. “Lazarat burning” është një mundësi për shqiptarët të tregojnë kush është vendi i tyre dhe më mirë se përmes kinemasë kjo nuk mund të bëhet” i tha producenti Issa Zaroui TVSH.
Grupi i produksionit konfirmon se i kanë kërkuar kryeministrit shqiptar reduktimin e taksave për industrinë e filmit, ndërkohë që ky është filmi me buxhetin më të lartë i xhiruar deri me tani në Shqipëri. “Lazarat Burning” do të kushtojë rreth 2 milionë dollarë. Regjisori i filmit do të jetë William Kaufman ndërkohë që pritet të bëhet një casting edhe për aktorë nga Shqipëria. Një film “action”, “Lazarat Burning” do të tejçojë bukuritë e Shqipërisë si një pikëvështrim i kundërt i dramës së rëndë që luhet në të.