KRYEFAQJA » LAJME » Gazi lotsjellës në kuvend, kryeprokurori kosovar kërkon paraqitjen e deputetëve

Gazi lotsjellës në kuvend, kryeprokurori kosovar kërkon paraqitjen e deputetëve

Kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që kanë hedhur gaz lotsjellës gjatë seancave plenare, të paraqiten për t’u marrë në pyetje në prokurori, në të kundërt ka paralajmëruar arrestimin e tyre. Lajmi është bërë i ditur nga një e përditshme kosovare. Sipas gazetës, zoti Lumezi është shprehur se Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk i ka ftuar deputetët për t’i arrestuar, por vetëm për të dhënë versionin e tyre në lidhje me ngjarjet e javëve të fundit në Kuvendin e Kosovës. Sipas kryeprokurorit thirrja u është drejtuar tre deputetëve te Levizjes “Vetevendosje”, Albin Kurti, Faton Topalli e Albulena Haxhiu, si dhe ndaj kreut të Grupit Parlamentar të Aleances për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi. “Nëse e ata nuk paraqiten, atëhere do të zbatohen dispozitat ligjore që çojnë në arrestimin e tyre”, citohen të ketë thënë kryeprokurori i Kosovës. Katër deputetët që dyshohen për hedhjen e gazit lotsjellë gjatë tre seancave të Kuvendit të Kosovës, kanë thënë më parë se vepimin e tyre e ndërmorën në shenjë pakënaqësie me nënshkrimin e dy marrëveshjeve me Serbinë nga kryeministri Isa Mustafa në Bruksel dhe Vjenë, njëra për Asociacionin e Komunave Serbe dhe tjetra për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.