KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Gazmend Leka, piktori që mund frikën me piktura, Ekspozita personale “Nature morte”

Gazmend Leka, piktori që mund frikën me piktura, Ekspozita personale “Nature morte”

Në fillin e hollë mes jetës dhe vdekjes piktori bën akrobacira mbi këtë fill dhe zgjedh të shprehë ndjesinë e kapërcyellit ose së paku ta imagjinoje atë përmes linjave dhe ngjyrave. Këtë bën edhe piktori Gazmend Leka i cili në ekspozitën “Nature morte” subjektet e tij nuk janë çfarëdo por 8 personazhe të mëdhenj të njerëzimit nga Dante te Bonaparte, nga Bethoven tek Lenini dhe Nice duke na kujtuar përkohshmërinë dhe joshjen e së përtejmes veshur me petkun e së panjohurës. Ai i përcakton ata si gurë mortore me fatin e të cilëve duket se piktori ka bashkëjetuar aq sa tia ndjesh tensionin në dridhjet e duarve.

Nga errësira, tek termeti, nga Ikarus dhe frika nga avioni duket se piktori ka përzgjedhur që frikërat e tij ti kaloje përmes terapisë së të pikturuarit dhe bën këtë me një natyrshmëri të epshme.

Personazhet në kapercyell mes jetës dhe vdekjes mund të kenë bërë dëme apo të mira gjatë jetës së tyre por siç e cilëson edhe kuratori i ekspozitës Ardian Isufi, Gazmend Leka propozon një lojë filozofike me imazhin e vdekjes ngurosur në mendjet tona.