KRYEFAQJA » LAJME » Gazsjellësi IAP – takimi i ministrave në Budva
iap, socar, tap, projekti gasjelles, takimi ministrave, budva, adriatik jon

Gazsjellësi IAP – takimi i ministrave në Budva

Fillimi i fazës intensive të ndërtimit të gazsjellësit TAP ka shtuar përpjekjet e Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnje Hercegovinës dhe Kroacisë për një tjetër projekt të rëndësishëm, atë të gazsjellësit Joniano Adriatik, IAP.

Ministrat e katër vendeve u takuan në Budva të Malit të Zi ku u dakordësuan për krijimin e një njësie të menaxhimit të projektit ku do të ketë një përfaqësim edhe SOCAR, kompania shtetërore e naftës së Azerbajxhanit, aksionere e TAP.

Përfaqësues të kompanive të gazit dhe ministrive përkatëse do të krijojnë një njësi të menaxhimit të projektit ku do të kenë palë edhe kompaninë SOCAR të Azerbajxhanit për ta promovuar këtë projekt”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Mali i zi po e përfundon masterplanin e gazit, gjithashtu edhe Shqipëria. Kroacia ka avancuar nga ana e saj e kjo do të thotë se po maturohet pak nga pak kërkesa për gaz. Shumë shpejt të gjitha vendet do të kenë sasi të dedikuara për gazin çka e bën këtë projekt akoma më fizibël. Vendet kanë marrë një vendim të rëndësishëm për të krijuar një njësi konkrete, për të folur me institucionet e Komisionit Evropian dhe për të dialoguar me investitorë të mundshëm”, nënvizoi z.Gjiknuri.

Gjatë tryezës së ministrave u konstatua një rritje interesi e kompanive të mëdha investitore.

U fol në takim por shihet edhe nga kontaktet që kemi patur se është rritur interesi i kompanive të mëdha investitorë nga disa vende edhe përtej Evropës. Janë shumë të interesuar për tu bërë pjesë e projektit IAP. Kjo do të thotë se projekti ka filluar të marrë jetë dhe besoj se në vitet e ardhshme do të maturohet ashtu sikurse projekti TAP dhe Shqipëria do të kthehet në një qendër të rëndësishme të gazit për rajonin”, theksoi ministri.

Projekti i gazsjellesit Jonian-Adriatik (Projekti IAP), synon të lidhë sistemin ekzistues të transmetimit të gazit të Republikës së Kroacisë, nëpërmjet Bosnjë Hercegovinës (në det), Malit të Zi dhe Shqipërisë me sistemin e gazsjellësit Trans Adriatic (Projekti TAP).