KRYEFAQJA » LAJME » Gjendet harta e gjeneve të zhvillimit trupor
Gjendet harta e gjeneve të zhvillimit trupor

Gjendet harta e gjeneve të zhvillimit trupor

Janë zbuluar gjenet e “fshehur” që përcaktojnë zhvillimin trupor: janë 83 variante që deri tani ishin “të padukshme” por kanë një peshë shumë të madhe për të përcaktuar se sa do të jesh i gjatë. Këtë zbulim e ka arritur puna e përbashkët e 300 kërkuesve në të gjithë botën të drejtuar nga Guillaume Lettre, i universitetit kanadez të Montrealit, me ndihmesën e 700.000 vullnetarëve nga e gjithë bota. Zbulimi, i publikuar në revistën Nature, përbën një nga pikat e nisjes të mjekësisë së ardhshme të saktë, të prerë sipas karakteristikave të çdo personi.

“ADN-ja ka një ror themelor për të përcaktuar zhvillimin trupor të një personi, por deri tani rreth 700 gjene që dinim se ishin të përfshirë në shprehjen e këtij karakteri në të vërtetë kishin një rol të kufizuar, më pak se 10%”, shpjegoi një nga kërkuesit. Dihej që shtatgjatësia ishte kryesisht e lidhur me trashëgiminë, por gjenet që ishin vërtetë përgjegjës për këtë karakteristikë rezultonin “të fshehur”: një enigëm shumë e shpeshtë në botën e gjenetistëve që quhet “trashëgueshmëri fantazmë”.

“Në përgjithësi, shtoi kërkuesi, nëse llogaris se ADN-ja ka një peshë të madhe në përcaktimin e një karakteri të veçantë, si në rastin e zhvillimit trupor, pres që t’i gjej kollaj gjenet përgjegjës, por nuk është kështu”. Duke përdorur mënyrat e reja të analizave dhe numrin e madh të të dhënave të mbledhura nga 700.000 vullnetarëve, kërkuesit kanë arritur të gjejnë 83 gjene, deri tani të padukshme, që mendohet të kenë një rol kyç. “Puna e tyre është shumë e madhe, tha kërkuesi, sepse disa prej tyre ndikojnë në gjatësi në moshë të rritur edhe me dy centimetra. Ndikimi i gjeneve të njohura deri tani ishte maksimumi pak milimetra”.

83 gjenet e zbuluara vërtetojnë se për të përcaktuar karakterin janë në fakt variantet gjenetike të ralla që shfaqen shumë pak herë, shumë të vështira për të mos thënë të pamundura për t’u gjetur pa të dhënat e kampionëve të marra nga mijëra persona. Një punë që zgjidh pjesën më të madhe të problemit të trashëgimisë fantazëm në rastin e gjatësisë dhe tregon një zgjidhje të mundshme edhe për enigmat e tjera të ngjashme. “E njëjta gjë, përfundoi kërkuesi, mund të përdoret në shumë sëmundje ku kemi të njëjtin problem të trashëgimisë fantazëm, si diabeti ose arteroskleroza, dhe të zhvillohen barëra të veçantë”.