KRYEFAQJA » LAJME » Gjermani-Itali, Një përballje titanësh ktë fundjavë
Gjermani-Itali,Një përballje titanësh ktë fundjavë

Gjermani-Itali, Një përballje titanësh ktë fundjavë

Një përballje titanësh është e garantuar në fundjavë, kur kampionët në fuqi të botës dhe “axurrët” të përballen me njëra-tjetrën në atë që është padyshim një finale e parakohshme e këtij Evropiani të 15-të të Futbollit. Gjermania nuk ka triumfuar asnjëherë në 8 përballjet me Italinë në fazën finale të një veprimtarie madhore, por ajo e fitoi, madje bindshëm, 4-1, miqësoren e fundit midis tyre, të zhvilluar në mars. Megjithatë, italianët vijnë pas asaj fitoreje të bujshme, 2-0, të arritur të hënën në turin e 16-shes ndaj kampiones në fuqi të kontinentit, Spanjës. Trajneri i Italisë, Antonio Konte, nuk ka iluzione përsa i përket asaj që e pret të shtunën, teksa thotë: “Ne do të ndeshemi me atë që padyshim është skuadra më e mirë e këtij Evropiani dhe do të jetë shumë, shumë e vështirë në të gjitha aspektet, prandaj lipset një përpjekje titanike. Për mua, Gjermania është në një nivel më të lartë se gjithë të tjerët dhe, për këtë arsye, do të na duhet të përgatitemi me të njëjtën vëmendje, dëshirë dhe vendosmëri si ndaj Spanjës”, – ka përfunduar Konte. Italia do të jetë pa Tiago Motën e pezulluar, ndërsa Gjermania ka vetëm pasiguri përsa i përket shqetësimeve që kanë patur Sami Khedira, Mats Humelsi dhe Zherom Boatengu.