KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Gjermani, kush mund të jetë pasardhësi i presidentit Gauk?
gjermani

Gjermani, kush mund të jetë pasardhësi i presidentit Gauk?

Koha për të zëvendësuar Presidentin e Gjermanisë ndoshta nuk është edhe aq e përshtatshme. Pasardhësi i Gauckut në post do të zgjidhet vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017. Kjo do të jetë një periudhë kur partitë tradicionale do të luftojnë në votime për vota në zgjedhjet më të fundit rajonale. Megjithëse posti i Presidentit të Gjermanisë është një post jopolitik, është detyrë e zakonshme e partive në Gjermani që ose të gjejnë një kandidat të përbashkët, ose të gjejnë kandidatë të vetët. Zyrtarisht askush në Berlin nuk dëshiron të shprehet për emra konkretë, për kandidatë për President. Por në diskutimet që bëhen, disa emra përmenden më shpesh. Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble, kristiandemokrat dhe ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier, socialdemokrat janë dy nga kandidatët e mundshëm të cituar nga media gjermane për të zëvendësuar vitin e ardhshëm presidentin, Joachim Gauck, i cili njoftoi se nuk do të garonte për një mandat të dytë. Emra të tjerë janë ai i kryetarit të parlamentit, Norbert Lammert dhe i bavarezes, Gerda Hasselfeldt, shefe e grupit parlamentar të CSU-së në Bundestag. Presidentin e Gjermanisë e zgjedh një asamble e posaçme, kur është e nevojshme në tri raunde njëra pas tjetrës. Në raundin e tretë Presidenti mund të zgjidhet me një shumicë të thjeshtë votash, pra zakonisht me votat e partisë në pushtet, e cila ka edhe më shumë përfaqësues në mbledhje. Asambleja federale për zgjedhjen e Presidentit përbëhet nga më shumë se 1000 vetë, shumë prej tyre politikanë. Në të marrin pjesë edhe personalitete të njohura, yje të sportit dhe figura të tjera publike të zgjedhura për këtë asamble nga partitë politike. Gjermania zhvillon vitin e ardhshëm edhe zgjedhjet parlamentare. Kancelarja Merkel nuk i ka publikuar ende vendimet e saj politike.