KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Gjermania diskuton ligjin kundër përdhunimit
gjermani

Gjermania diskuton ligjin kundër përdhunimit

Dhoma e Ulët e Parlamentit të Gjermanisë pritet të kalojë një ligj të ri, i cili do të zgjerojë përkufizimin ligjor të asaj që përbën përdhunimin. Kritikët besojnë se Gjermania ka mbetur shumë prapa vendeve të tjera të zhvilluara kur bëhet fjalë për ligjet e përdhunimit. Sipas ligjit ekzistues, të përcaktuar në nenin 177 të Kodit Penal, viktimat duhet të mbrojnë veten nga një veprim që përbën përdhunim. Të thuhet “jo” nuk është e mjaftueshme për të shpallur të pandehurin fajtor. Papërshtatshmëria e ligjit bën që shumë përdhunues të kalojnë pa u ndëshkuar. Një studim i kryer nga Qendra Gjermane e Këshillimit të Grave dhe Qendra e Krizës së Përdhunimit, në vitin 2014, ka gjetur 107 raste të tilla. Autorët e studimit kanë thënë se në secilin rast, sulmet seksuale janë kryer kundër vullnetit të viktimës, e cila ka komunikuar verbalisht me kryesin. Megjithatë, sipas tyre, gjykata as nuk ka ngritur akuza, as nuk ka shqiptuar dënime. Sipas disa vlerësimeve, vetëm një në dhjetë përdhunime raportohet aktualisht në Gjermani dhe prej tyre, shkalla e dënimit është vetëm 10 përqind.