KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Gjermania diskuton problemin e refugjatëve
Gjermania diskuton problemin e refugjatëve

Gjermania diskuton problemin e refugjatëve

Kancelarja gjermane, Angela Merkel paralajmëroi kundër përplasjeve të mundshme të armatosura mes vendeve të Ballkanit, nga ku kalojnë tranzit pjesa më e madhe e refugjatëve, në rast se Gjermania do të mbyllë kufirin me Austrinë, njofton AFP. “Tashmë në vendet perëndimore të Ballkanit ekzistojnë tensione dhe nuk dëshiroj që të arrihet deri në përplasje ushtarake në këto vende”, deklaroi të hënën në mbrëmje kancelarja gjatë një takimi të CDU-së në Darmstadt, cituar nga mediat gjermane.
Ekspertë të shumtë kanë paralajmëruar për faktin që, nëse Gjermania, destinacioni kryesor i imigrantëve të larguar nga lufta në Siri, do të mbyllë kufijtë e saj me Austrinë, vendet e Ballkanit, nga të cilat kalojnë tranzit imigrantët dhe refugjatët, do të bëjnë të njëjtën gjë.
Bashkimi Evropian njoftoi në fund të muajit tetor krijimin e 100 000 vendeve pritje për refugjatët në Greqi dhe në Ballkan për të frenuar këtë krizë imigracioni të pazakontë, ndërkohë që tensione kanë ndodhur mes Sllovenisë, Kroacisë, Sebisë dhe Hungarisë këto muajt e fundit rreth tranzitit të dhjetëra mijëra imigrantëve.
Një raund i ri negociatash është parashikuar të enjten, veçanërisht rreth krijimit të zonave të tranzitit, në kufirin gjermano-austriak për përshpejtimin e shqyrtimit të dosjeve dhe dëbimet, kërkuar nga konservatorët, por që është hedhur poshtë nga Partia Socialdemokrate, SPD. ”Nëse nga ky takim nuk do të ketë asnjë rezultat, ne do të vazhdojmë të negociojmë” tha zonja Merkel. “Nuk është hera e parë që ne duhet të bindim socialdemokratët për drejtësinë e disa gjërave”, shtoi kancelarja gjermane.